Po udhëtonin drejt Vlorës me kallashnikov! Kapen 3 persona të dënuar për drogë e prostitucion

14 Tetor 2020, 14:20

Policia ka vënë në pranga tre persona të cilët po udhëtonin  me makinë drejt Vlorës me një armë zjarri kallashnikov me vete.

Në pranga ka rënë 43 vjeçari Klajdi Basha, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, të cilit gjatë kontrollit nga forcat e posaçme "Shqiponjat", iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të këtyre veprimeve u bë arrestimi për “Moskallëzim krimi”, i shtetasve Danil Bako, 34 vjeç dhe Klaudjo Mistri, 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët udhëtonin së bashku me Bashën që posedonte armën e zjarrit.

Sipas informacioneve nga policia, këta persona janë me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, shfrytëzimit të prostitucionit dhe atë të vjedhjes. Ata kishin marrë një mjet taksi dhe ishin nisur në drejtim të qytetit të Vlorës.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta zbulon se Klajdi  Basha ka qenë dënuar në Itali për organizatë kriminale në fushën e prostitucionit, Klaudjo Misri ka qenë i dënuar në Itali për trafikim të lëndëve  narkotike dhe Daniel Bako ka qenë i dënuar për vjedhje në Shqipëri.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e qëllimit që kishte personi që qarkullonte me armë zjarri me vete.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.