Pogradec, plehrat në zonë të mbrojtur! Kërkohet rehabilitimi i fushës së mbetjeve në Peshkëpi

23 Nëntor 2020, 11:26

Kjo fushë në fshatin Peshkëpi ka funksionuar për shumë vite si vend-grumbullimi për mbetjet urbane të qytetit të Pogradecit dhe fshatrave përreth

Siç mund të shihet edhe nga pamjet situata këtu është alarmante. Nga dekompozimi i pakontrolluar i sasive gjigante të mbetjeve dëmtohet ajri, dëmtohet uji nëntokësor që Pogradeci e përdor për ujë të pijshëm, dëmtohet uji sipëfaqësor i rrjedhshem i cili duke marre ndotjet me vete, diku shkon në një rezervuar për vaditje e diku nga lumenjtë përfundon në liqen duke u kthyer kështu në një ndotës direkt të liqenit të Pogradecit.

Report Tv bisedoi me drejtorin e zonave të mbrojtura në rajonin e Korçës, Mihallaq Qirjo, i cili tha se kjo fushe është drejt mbylljes pasi nuk plotësonte as standardet minimale.

"Kjo fushë se shpejti nuk do të jetë më funksionale do mbyllet dhe do rehabilitimin, ka filluar landfilli i Maliqit që shërben për menaxhimin e mbetjeve për rajonin e Korçës. Ai vend në Peshkëpi nuk plotëson asnjë standard është një situatë e papranueshme e krijuar nga depozitimi disa vjecar i mbetjeve atje", tha Mihallaq Qirjo.

Qirjo shprehet se kjo fushë mbetjesh ka dëmtuar shëndetin e banorëve të fshatit Peshkëpi.

"Nuk kemi pse ngurojmë ta themi se vendi i zgjedhur para disa vite është i pajustifikueshëm, në një faqe përroi. Thjesht nga një reshje e vetme mbetjet i përcjell në thellesi, duke ngarkuar me ndotje edhe tokat bujqësore, kulturat bujqësore duke mbërritur direkt tek konsumatori", tha ai.