Pogradec/ U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, në pranga 2 persona

16 Dhjetor 2020, 10:04

Dy persona janë arrestuar nga policia pasi janë kapur duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm në aksin Pogradec-Qafë Thanë. Njoftimi i policisë:Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Njëri prej të arrestuarve nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe tentoi të largohej, por u kap dhe ndalua. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor "Perimetri", kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. D., 36 vjeç dhe A. J., 23 vjeç, banues në Pogradec. Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Hudënisht, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fuoristradë tip "Benz", të cilin e drejtonte shtetasi G. D., shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Shtetasi A. J., në momentin kur Policia po ushtronte kontroll ndaj tij, ka tentuar të largohet, por menjëherë është kapur dhe ndaluar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".