'Policët në lirim do të ruajnë objektet 4 muaj pa u paguar'! / Sindikata kundër projektligjit: E çojmë në Kushtetuese

26 Dhjetor 2019, 17:57

TIRANE-Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit për këtë vit projektligjin për reformën në Policinë e Shtetit, që nxjerr në lirim punonjësit që kanë mbushur moshën 55 vjeç me 30 vite vjetërsi pune, por me një kusht, që të punojnë 700 orë në vit, pra 4 muaj, pa trajtim financiar. Por këtë pikë dhe të tjera, Sindikata e Policisë i kundërshton. Kreu i Sindikatës së Policisë Sadedin Fishta i ftuar në studion e Report Tv sqaroi se përse është kundër punësimit të detyruar 4 muaj te shoqëria "Illyrian Guard", shoqëri e krijuar nga ministria e Brendshme për ruajtjen e objekteve shtetërore.

"Ideja e projektligjit nuk është e keqe, por duhet detajuar dhe bërë disa ndryshime. Nëse një polic sot del në pension të parakohshëm ai përfiton vetëm pensionin suplementar, i vitit 2009 që ka dalë dhe jo të tjera, zbret 50% të pagës që ka pasur. Sipas projektligjit, ata që do të dalin në pension të posaçëm duhet të punojë 700 orë në këtë kompani për ruajtjen e objekteve shtetërore. "Illyrian Guard" është shoqëria që policët duhet të punojnë 700 orë, kjo është një shoqëri aksionere me financim shtetëror por nuk është institucion shtetëror. Ne do i drejtohemi edhe komisionit të ligjeve dhe sigurisë me qëllim që parlamenti ti anashkalojë. Nga fundi i janarit mund të kalojë edhe në parlament, por nëse do të jetë ky format do të ketë kontestime. Punësimi pas daljes në pension duhet të jetë e drejtë dhe jo detyrim.