Policia aksion në Kurbin kundër lojërave të fatit, arrestohen 2 persona, sekuestrohen 32 makineta, para dhe 3 kasaforta

21 Tetor 2020, 15:07 | Përditesimi i fundit: 2020-10-21 15:09:29

Në kuadër të një operacioni ndaj lojërave të fatit ne zonën e Kurbinit janë arrestuar 2 persona.

Sekuestrohen 32 makineta, një sasi e konsiderueshme vlerash monetare dhe 3 kasaforta të mbyllura.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit "Fati i lojërave", në aksin rrugor Milot - Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Gj. P. dhe që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit, 421.000 lekë të rinj, 3325 euro dhe tri kasaforta të mbyllura.
 
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë Gj. P., 28 vjeç, banues në Mamurras dhe A. K., 40 vjeç, banues në Thumanë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.