Policia bleu 1500 fishekë gome e manovër ditën e 21 Janarit 2011 (Dokumentet)

22 Maj 2019, 10:38

Dokumente të tjera që disponon dhe po publikon redaksia investigative e Shqiptarja.com konfirmojnë çorganizimin dhe shthurjen e Policisë së Shtetit në janar të vitit 2011, nën drejtimin e Hysni Burgajt dhe Agron Kuliçajt, për menaxhimin e protestave, kur Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm. Pikërisht ditën e protestës së 21 Janarit 2011, ku u ekzekutuan katër protestues të pafajshëm dhe u plagosën gjashtë të tjerë me armë zjarri, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është kujtuar për të blerë fishekë plastikë manovër për menaxhimin e protestave. Ndërsa në bulevardin para Kryeministrisë kishte të vrarë dhe të plagosur, policia e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, blen 1 500 fishekë plastikë, manovër dhe gome për t’i përdorur kundër protestuesve. Po gjatë ditës së 21 Janarit 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit blen edhe 5 copë spajt lotsjellës. Të gjitha këto kanë kushtuar 975 000 lekë. Ndërkaq, një ditë pas 21 Janarit 2011, pra me 22 janar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit blen armatime dhe pajisje speciale. Konkretisht blihen në vlerën 2 436 000 lekë, 1075 fishekë manovër dhe plastikë, pistoleta bereta, kostum mbrojtje antigur, skafandra, shkopinj gome etj.

Komisioni i që ka bërë propozimin, i përbërë nga Shkëlqim Qamili, Selaudin Korkuti dhe Shkëlqim Dogjani, përmes një relacioni shpjegues, konfirmon veprime të tjera që janë kryer me urgjencë atë ditë. “Numrat e armëve që u morën një për një janë armë që funksionojnë normalisht nga pikëpamja teknike, janë armë që kryejnë qite gjysmëautomatike përdorin fishekë të kalibrit 12mm. Pistoletat CO2 me gaz 4.5mm funksionojnë normalisht nga ana teknike. Fishekët e kalibrit 22mm janë fishekë me saçma gome me një saçmë dhe me disa saçma për përdorim nga policia në grumbullim njerëzisht. Janë më saçma për hapje bravash të dyerve. Fishekët për pistoleta me gaz janë të kalibrit 9mm me gaz lotsjellës. Sprajti lotsjellës është individual me vil 40 ml, është i standardit për përdorim shpërndarje grumbullime njerëzish. Mburojat dhe kaskat janë plastike, materiale polikarbonat i rezistojnë goditjeve, gurëve dhe forcës goditëse, janë të përshtatshme për mbrojtjen e kokës dhe të trupit. Skafandrat janë pajisur me aksesorë për t’u lidhur në kokë, mburojat janë pajisje mbrojtje dore-parakrah për t’u mbajtur gjatë manovrës nga punonjësi i policisë. Shkopinjtë e gomës janë 60 cm të pathyeshëm dhe pa elasticitet të cilët punonjësi i policisë i përdor për shtyrje të grumbullimeve”.