Policia e Shteti dhe Doganat marrëveshje bashkëpunimi për luftimin e krimit dhe korrupsionit

20 Janar 2021, 17:59 | Përditesimi: 20 Janar 2021, 17:59

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kanë nënshkruar  një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve për dhënien e së drejtës së aksesit në sistemin elektronik SIENA.

Marrëveshja u firmos mes drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtorit të Doganave, Genti Gazheli, në praninë e Oficerit të Zyrës Ndërlidhëse të Europolit në Tiranë z. Alen Perušič.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bëhet partnere e rëndësishme edhe me Zyrën e Policisë Europiane (Europol) për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, duke shkëmbyer informacione në kohë reale, me qëllim parandalimin dhe luftën kundër veprave penale,kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të monitorohet nga Njësia Kombëtare e Europolit në Policinë e Shtetit.

Veliu tha se kjo marrëveshje do i jap akses Doganave të jenë pjesë e bashkëpunimi me Europol në platformën SIENA për të shkëmbyer të dhënat dhe informacionet për goditjen e paligjshmërisë.

“Pas bisedimeve të zhvilluara gjatë muajt dhjetor 2020 u bë e mundur që sot të nënshkruajmë këtë memorandum bashkëpunimi, i cili do të mundësojë që edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, duke filluar nga sot e në vazhdim do të marrë akses në platformën SIENA të Europol-it. Platformë e cila do të mundësojë jo vetëm shkëmbimin e informacionit dhe aksesin në bazën e të dhënave, por do të synojnë edhe krijimin e mundësive dhe lehtësirave të nevojshme për një informacion në kohe reale për të marrë dhe shpërndarë nga agjencitë e tjera te zbatimit te ligjit  dhe me Europol-in. Do të mundësojë krijimin e takimeve operacionale, por edhe mbështetjen për operacione të përbashkëta që mund të zhvillohen në të ardhmen. Tashmë, ne si vend kandidat për në BE dhe pjesëtar për në Europol, do të kemi mundësinë që si dy agjenci të zbatimit të ligjit, të kontribuojmë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit", tha Veliu.

b.ha./Shqiptarja.com