Shpejtësi, kalim me semafor të kuq dhe alkool, radarët dhe kamerat kapin mat shoferët në rrugë

23 Mars 2021, 15:24 | Përditesimi i fundit: 2021-03-23 15:26:09

13 shoferë janë arrestuar në 48 orët e fundit, pas kontrolleve në rrugë nga policia rrugore me kamera radarë e alkool-testuese.

Me një njoftim për mediat, policia bën me dije se 10 shoferë janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 2 për drejtim mjeti pa leje dhe një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Po ashtu janë pezulluar 77 leje drejtimi, nga të cilat 64 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Janë vendosur edhe 2012 masa administrative për shkelje që janë burim aksidentesh.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Drejtoria e Policisë Rrugore

Vijojnë kontrollet dhe monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke përdorur mjete të pauniformuara, kamera, radarë e alkooltestues.

Më qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, ka intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.