Policia 'në këmbë' për festat: Operacione nga FNSH, RENEA e FAST

24 Dhjetor 2019, 12:05 | Përditesimi i fundit: 2019-12-24 15:16:54

Në virgjilje të festave të fundvitit, policia e shtetit ka bërë publike edhe masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e këtij sezoni në vendin tonë. Me anë të një deklarate për shtyp Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik Drejtues Albert Dervishaj, ka thënë se nisur nga përvojat e viteve të kaluara është parë me rëndësi që policia të fokusohet tek rritja e sigurisë së jetës dhe pronës duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin. Një pikë tjetër ku policia do të shtojë përforcimet është tek sigurimi i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, identifikimi dhe mbajtja nën vëzhgim e automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Drejtoria e Vendore e Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë kanë marrë masa ekstra  të ruajtjes së pronës, sidomos në ato zona që u goditën nga tërmeti me qëllim parandalimin e vjedhjes së pronës. Janë evidentuar dhe organizuar shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.

Po ashtu polica njofton se do të vazhdojë rritja e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Policia e Shtetit e vlerëson si mjaft të çmuar bashkëpunimin me qytetarët dhe në këtë kontekst do të analizojë dhe rivlerësojë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si dhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Repartin Special “RENEA” dhe Njësinë Speciale “FAST”.

Policia e Shtetit ka planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj., duke bashkëpunuar me bashkitë respektive, me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin e masave për këtë qëllim.