Policia nxjerr listën e 31 personave më të kërkuar në Shkodër

26 Dhjetor 2018, 16:37

Policia e Shtetit ka publikuar këtë të mërkurë në faqen zyrtare të saj në rrjetin social “Facebook” emrat e 31 personave më të kërkuar në qarkun e Shkodrës.

31 personat në fjalë kërkohen për “krime kundër njerëzimit, “vrasje”, “vjedhje me armë”, "vrasje në rrethana cilësuese" e “rrëmbim personi”.Një ndër to rezulton edhe ish-komandanti i Postës Kufitare të Velipojës, Besnik Zykaj.

Ish-komandanti u akuzua për vrasjen e Vat Marash Beqi më 19 maj 1990 dhe plagosjen e vëllait të tij. Të dy vëllezërit po "arratiseshin" me not nga bregu i Velipojës, kur u qëlluan me automatik nga Zykaj. 

Ndonëse Policia e Shtetit nuk e ka publikuar fotografinë e tij, të dhënat e datëlindjes e vendlindjes ( 28.04.1963, Vlorë) përkojnë e për më tepër, ish-komandanti i Postës Kufitare të Velipojës rezulton i vetmi që është dënuar pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri për "krime kundër njerëzimit". 

Vrasja e dy vëllezërve ndodhi një javë pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte ndryshuar legjislacionin e Kodit Penal, duke mos e konsideruar më "arratisjen" si "tradhti ndaj atdheut" por vetëm "kalim i paligjshëm i kufirit".

Vat Beqi do të shpallej gjashtë vite me vonë si "martir i demokracisë", ndërsa Gjykata e Rrethit Gjyësor Shkodër, me vendim të formës së prerë, do ta dënonte Zykajn me "burgim të përjetshëm".

Sipas raportimeve të kohës, Zykaj u shpërngul në vitin 1991 në një fshat të Vlorës dhe e kishte ndryshuar emrin në Bino Binaj. Pak më vonë thuhet se u largua në Itali, aty ku u supozua se u arrestua 16 vite më vonë. Më 16 shkurt 2012, Interpol Tirana u citua nga shtypi i kohës se, Zykaj ishte ndaluar dhe se po kryheshin procedurat për ekstradim. E megjithatë, Zykaj po kërkohet edhe pas gjashtë vitesh më pas nga Policia e Shtetit, pasi personi i ndaluar në Itali nuk ishte në të vërtetë ai.

Ndër më të kërkuarit në Shkodër është edhe Agron Cekici, vrasësi i Klement Hoxhallarit pas konfliktit për një parcel toke, Andi Marku, Sabaudin Kosi dhe Lush Pjollaj, gjithashtu të dënuar për vrasje.

Në listë rezultojnë edhe emra si Sadetin Erkoçeviq, Aleks Livadhi, Francesk Vala, Valentin Vukelaj, Eduard Vushaj,Gjergj Qukaj, Ylber Nika, Avni Balozi, Agositn Shllaku, Valentin Shllaku, Bib Nikja, Ardian Narkaj, Ded Strokaj, Lekë Ndou dhe Ilir Bajrami.

Një pjesë e mirë e këtyre personave dyshohet se fshihen brenda Shqipërisë, prandaj policia u bën apel qytetarëve që nëse kanë dijeni për vendndodhjen e tyre të lajmërojnë uniformat blu.