Policia operacion të befasishëm në Portin e Durrësit, shoqërohen 23 persona

25 Tetor 2019, 17:02 | Përditesimi i fundit: 2019-10-25 19:25:08

DURRËS- Një aksion 'Blic' është zhvilluar përgjatë ditës së sotme në Portin e Durrësit ku morën pjesë 380 policë të ndihmuar nga dy drone për kontroll nga ajri si dhe 10 qen anti-drogë. Burime për Report Tv bëjne me dije se policia dyshonte se në port kishte prani të lëndëve narkotike, dhe gjatë këtij operacioni janë  shoqëruar 23 persona.

Së fundmi policia ka bërë bilancin përfundimtar të këtij operacioni ku bën të ditur se janë kontrolluar 106 kontejnerë, 65 magazina dhe objekte të ndryshme brenda Portit, dhjetëra mjete lundruese, kryesisht peshkarexha, 345 automjete dhe rreth 770 persona. Ndër të tjera uniformat blu njoftojnë se u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë zhurmuese, thikë, vula të falsifikuara, targa mjetesh të falsifikuara, dokumente të kundërligjshme, si dhe sasi me cigare kontrabandë.

Në aksion morën pjesë kryesisht forca të FLO Tiranë, Shkodër e Fier, ato të Policisë Kriminale, të ‘Shqiponjave’ të DVP Tiranë, Durrës, Elbasan e Fier, të Patrullave të Përgjithshme, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore dhe ato të Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, e të Policisë Kufitare , që ushtruan kontrolle të imtësishme në të gjithë territorin e Portit në saj të operacionit të koduar “Porti i Pastër”.

    No videos found.