Policia postoblloqe për respektimin e masave, gjobitet, u fut te urgjenca për të parë të afërmin

30 Mars 2020, 14:44 | Përditesimi i fundit: 2020-03-30 14:54:23

TIRANË - Policia e Shtetit thotë se nga sot e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi. 

"Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre", njofton policia.

Një qytetar është ndëshkuar me masë administrative 500 mijë lekë pasi është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore për të parë familjarin e tij. Në kushtet kur vendi është në situatë emergjence nga COVID-19, nuk lejohet asnjë vizitë e familjarit në ambientet spitalore, vetëm nëse vjen me autorizim nga autoritetet shëndetësore.

Ndërkohë, policia e Shtetit bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë evidentuar 8 drejtues automjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim të makinës.

Në të gjithë vendin, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 157 qytetarë, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.