Pako e dyshimtë te pallati i Kulturës në Vlorë! Dyshohet eksploziv i lidhur me telefon pranë një peme

13 Tetor 2020, 19:27 | Përditesimi i fundit: 2020-10-13 20:49:16

VLORË- Forca të shumta policie janë mbledhur pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili zbulon se një pako e dyshimtë është vendosur pranë një peme, foton e së cilës Report Tv e disponon. Kalimtarët ose banorët e zonës kanë raportuar për një pako të dyshimtë. Ka qenë një celular i mbështjellë, por akoma nuk ka një të dhënë se çfarë përmban kjo pako, e cila është gjetur në shesh pranë një peme. Sipas policisë sasia e dyshuar e eksplozivit është afër vendbanimeve në zonën në afërsi të portit. Dyshohet se është një lëndë plasëse e lidhur me telefon. Policia po vijon që ta mbajë të rrethuar zonën, pasi priten forcat xheneire që të bëjnë shpërthim të kontrolluar dhe më pas verifikim se për çfarë lënde bëhet fjalë. Burime nga policia bëjnë me dije se janë marrë disa kamera biznesesh për të parë nëse arrijnë të identifikojnë ndonjë person të dyshuar. Ende nuk dihet se pse është vendosur kjo pako, pasi në këtë zonë ka banesa, automjete të parkuara, por edhe porti është pranë. Njoftimi i policisë: Vlorë/Informacion paraprak  Më datë 13.10.2020, rreth orës 18:42, në lagjen Pavarsia, Vlorë, në brendësi të një lulishteje është konstatuar një pako e dyshimtë. Grupi hetimor me ekspertët përkatës po kryejnë veprimet e mëtejshme për zbulimin dhe përcaktimin e përbërjes së saj. Shërbimet e policisë kanë marrë masa duke vendosur perimetrin e sigurisë.