Policia rrugore kontrolle blic me makina civile, penalizohen shoferë pa patenta

11 Tetor 2019, 14:27

Gjatë orëve të fundit, në aksin rrugor Tiranë - Rinas - Fushë-Krujë - Milot, Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës, Durrësit e Lezhës, duke përdorur makinat civile të pajisura me sistem sinjalizimi zanor ka evidentuar një sërë shkeljesh, të cilat janë burim aksidenti.

Si rezultat i kontrolle blic, jo vetëm në këtë aks rrugor, por në të gjitha akset rrugore në vend, gjatë orëve të fundit janë pezulluar 69 leje drejtimi, nga këto: 13 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 37 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 19 për shkelje të tjera që ndëshkohen me pezullim të lejes së drejtimit.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar 2 drejtues mjetesh që qarkullonin me leje drejtimi të pezulluar më parë, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Janë arrestuar 13 drejtues mjetesh, nga këta 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar 188 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 117 drejtues motoçikletash pa kaskë mbrojtëse, 136 pa rrip sigurimi dhe 86 për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit

Është kontrolluar dhe verifikuar nëpërmjet tabletave dokumentacioni i 567 automjeteve, si dhe në 32 raste është bërë edhe kontroll fizik i personave dhe kontroll i imtësishëm i automjetit për sende të kundërligjshme.

    No videos found.