Policia zbardh dosjen e pronave të Ylli Ndroqit: 18 muaj hetime me agjencitë ndërkombëtare për burimin e parave

4 Gusht 2020, 17:40

TIRANË- Policia e shtetit ka zbardhur dosjen e hetimeve 18 mujore të kryera ndaj biznesmenit Ylli Ndroqi dhe pasurive të pajustifikuara që ai disponon, pasuri këto të sekuestruara një ditë më parë me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit, (SPAK).

Sipas policisë, krimi ekonomik në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në vend kanë koordinuar veprimet për të arritur deri në sigurimin e provave për burimin e këtyre pasurive. Ndër asetet e sekuestruara janë 7 Troje, 5 automjete luksoze dhe Mercedezi me të cilin lëvizte biznesmeni Ylli Ndroqi, i bllokuar tashmë nga policia e Tiranës, dy apartamente, 100.000 m2 pyje, 4 kompani me 100 % aksione dhe 7 kompani me aksione të përbashkëta.