Politika shqiptare uron për Vitin e Ri 2019

1 Janar 2019, 11:48

Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2019. Në një mesazh të komunikuar live në ERTV, Rama tha se viti 2019 do të jetë një vit i mbushur plot me projekte dhe angazhime për shqiptarët. Kryeministri tha se nga data 1 Janar në Shqipëri do të ndalohet kumari, fermerët nuk do të paguajnë më taksë për inputet bujqësore dhe studentët do të përfitojnë përgjysmim tarifash. "Gëzuar të gjithë në Shqipëri, Kosovë e kudo. Me ardhjen e 2019 për çdo bebe të lindur, do të hyjë çeku i ri i bebes, mbështetje financiare për çdo prind të ri. Mijëra sipërmarrës do të paguajnë 3 herë më pak taksa ndërsa për gjithë fermerët taksa 20% për inputet bujqësore do të shkojë më në fund 0. Nga nesër studentët tanë do përfitojnë përgjysmim tarifash, ndërsa më të mirët dhe ata në nevojë do të marrin dhe bursë 10 mijë lekë në muaj.  Punësimi i tyre në shtet do të jetë automatik, me parimin më i miri zgjidhet i pari. Do të jetë fillimi i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit. Do të nisë ndërtimi i hekurudhës së parë moderne Tiranë- Durrës. Këto janë 6 orët e fundit të kumarit në Shqipëri, asnjë familje s’do jetë më e kërcënuar. Qindra miliona euro që i ka marrë lumi do mbeten në familje. Këto e të tjera janë frute e përpjekjeve që kemi bërë këto vite. Ky vit mbyllet me rritje ekonomike 4.5%. Kushdo që nuk ka prekur ende asgjë na ndryshimet e bëra, kjo më motivon për të krijuar Shqipërinë që duam.  E dimë që jemi ende larg drejtësisë që duam, por nëse shohim pas do kuptojmë që kemi përparuar shumë. 2019 do nisë me qeveri të re. Me besimin e madh se më e mira po vjen dhe falënderimin për reagimet tuaja, ju përcjell reagimet e mia më të përzemërta."-tha Rama.

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka bërë një urim për të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve. Në urimin e tij, Meta i ka bërë thirrje që lënë pas të gjitha vështirësitë dhe konfliktet e vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura për suksese të përbashkëta.

"Të dashur motra e vëllezër shqiptarë!  Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta. Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm! Gëzuar Vitin e Ri 2019!  Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!"

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar vitin e ri duke bërë thirrje për shpresë dhe optimizëm se ditë më të mira do të vijnë për familjet shqiptare. 

"Të dashur bashkëqytetarë, ju uroj nga zemra Gëzuar Vitin e Ri 2019!‬ ‪Le të nisim bashkë këtë vit të ri plot me shpresë dhe optimizëm se ditë më të mira për familjen tonë të madhe kemi përpara!‬ ‪Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!‬" 

    No videos found.