Porositi vrasjen e ish-komisarit Artan Cuku, arrestohet në Greqi Bledar Jambelli

31 Dhjetor 2018, 11:38

GREQI - Porositi vrasjen e kryepolicit të Vlorës Artan Cuku, arrestohet në Athinë të Greqisë Bledar Jambelli personi më i kërkuar nga policia e shtetit. Arrestimin e Jambellit e bënë me dije policia e cila deklaron se falë një bashkëpunimi me Interpol Tiranën dhe Interpol Athinën është arritur të prangoset Jambelli. 38-vjeçari me origjinë nga Fieri për Policinë e Shtetit njihej me emrat Bledar Jambelli dhe Rikardo Muho.

Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e krimeve të rënda dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e Artan Cukut për hakmarrje për arrestimin në vitin 2012 kur Cuku mbante detyrën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Arrestimi i autorit të krimit, Mikel Shallari në 2 maj 2017, çoi në zbulimimin e dinamikës së vrasjes. Duke marrë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe i dënuar me 10 vite burg (Lexo këtu) Shallari rrëfeu se ishte paguar 3 mijë euro nga Bledar Jambelli për vrasjen e Cukut, ndërsa i ishin premtuar 20 mijë euro në total të cilat ai nuk i kishte marrë.

Sipas Shallarit, nëpërmjet kushëririt të tij Kristaq Leci, ai u kontaktua nga Jambelli duke i porositur vrasjen. Për këtë krim Shalalri u tha hetuesve se do të merrte 20 mijë euro por pasi kishte kryer vrasjen mori vetëm 3 mijë euro ndërsa nga ai moment as Leci dhe as Jambelli nuk i përgjigjeshin në telefon.

Identifikimi i Shallarit u bë nga gjurmët e ADN-s në rrobat që ai hodhi në një kosh mbeturinash pas postës numër 8-të në kryeqytet. Kjo ADN u identifikua nga autoritetet zviceriane të cilat kishin në arkivin e tyre profilin e Shallarit si një shtetas që disa vite më parë kishte qenë i arrestuar dhe dënuar atje. Për Jambellin rëndon masa e sigurisë arrest me burg në mungesë ndërsa ekstradimi i tij pritet të vendoset nga drejtësia Greke përgjatë muajit Janar 2019.

Motivet e vrasjes
Jambelli ka porositur vrasjen e Artan Cukut për rihapjen e një dosje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë. Kjo dosje solli edhe arrestimin e Bledar Jambellit, të akuzuar për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.

Kjo dosje ishte e mbyllur nga prokuroria, por Artan Cuku gjeti prova dhe vuri në pranga Bledar Jambellin. Çuditërisht 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013. 4 vite më pas Jambelli vendosi të hakmerret duke paguar Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun. Mikel Shallari ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka konfirmuar që ka qënë Bledar Jambelli, i cili e pagoi për të vrarë Artan Cukun.

Njoftimi i Policisë

Falë bashkëpunimit ndërkombëtar, bie në praga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish oficerit të lartë të Policisë A.C.

Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë / Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier. 

Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e A.C. 

Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana jonë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal.

Arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

    No videos found.