Portugali, vatra zjarri kërcënojnë kryeqytetin. Zjarrfikës dhe banorë të plagosur

22 Korrik 2019, 10:06

Tre vatra të ndryshme zjarri kanë ndarë në dy pjesë Portugalinë. Fillimisht zjarri ra në provincën e Castel Branco, dy orë larg kryeqytetit Lisbonë. Më shumë se 1000 forca zjarrfikëse ndodhen në terren për të vënë nën fre flakët.

Si pasojë e zjarreve, autoritetet kanë shpërngulur disa fshatra.

7 prej zjarrfikësve dhe rreth 10 banorë me djegie të lehta, janë transportuar me helikopter për në spitalet e Lisbonës.

Era e fortë ka vështirësuar punën për shuarjen e zjarreve.

Në dispozicion të reparteve zjarrfikës janë vënë edhe aeroplan me ngarkesa uji kurse ushtria pret urdhërin për të dhënë edhe ajo ndihmesën e saj.

Në vitin 2017, zjarri i madh në krahinën e Pedrogao Grande, i cili shkaktoi vdekjen e 64 personave dhe plagosjen e 250 të tjerëve, konsiderohet fatkeqësia më e madhe që ka goditur Portugalinë në kohët moderne.