POST TRAUMA/ Tirana drejt gjallërisë së përditshme, qytetarët i rikthen punës, fëmijët më 5 dhjetor në shkollë-Për lajme të tjera klikoni në www.shqiptarja.com

2 Dhjetor 2019, 18:39

Tirana duket se pak  nga pak po i kthehet normalitetit. Këtë të hënë qytetarët i janë rikthyer punës dhe rrugët e kryeqytetit ishin më të gjallëruara. Po ashtu dhe parqet e lojërave kanë qenë të mbushura me fëmijë, gjyshër e prindër që i shoqëronin, kjo pas pezullimit të shkollave.

Shkollat në Tiranë, do të rinisin normalisht procesin mësimor me 5 dhjetor. Të pyetur nga Report Tv, një pjesë e prindërve u shprehën se me datë 5 do t'i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Normale që do t'i çojmë se ça do i bëjmë do vazhdojmë jetën. Nuk kemi frikë, as nga shtëpitë nuk kemi dalë asnjë minutë, nuk kemi.

Patjetër, aty gjejnë si të thuash lumturinë e tyre fëmijët kurse kur janë pushim është një farë izolimi sepse fëmija do shokët e vet.

Po detyrimisht se jemi në punë. Fëmijët i kemi mbajtur të dy, bashkëshortja dhe sot fillova ta mbajë vetëm.

Ju sot kemi marrë leje nga puna?

Po leja është si gjysmë e marrë, dihen hallet dhe na kuptojnë.

Po do t'i çojmë fëmijët në shkollë pasi besoj se ajo frika për këto tërmetet ka rënë pak a shumë.

Sigurisht që do t'i çojmë, shpresoj të kalojë kjo javë të jetë më e qetë edhe ditët në vijim do t'i çojmë patjetër. Vetë i kemi mbajtur, kemi lënë punën, një ditë nusja, një ditë unë”- u shprehën disa prej qytetarëve.

Nga ana tjetër, mbrëmjen e djeshme ka pasur një fluks të qytetarëve drejt hyrjes së kryeqytetit, të cilët pas lëkundjeve të fuqishme të tërmetit zgjodhën që të drejtoheshin drejt jugut por dhe më larg.

Me përfundimin e fundjavës, ata kanë zgjedhur të rikthehen duke u përpjekur të lënë pas gjithçka përjetuan natën e 26 nëntorit.