Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane, partitë simotra të PD-së, kanë zhvilluar punimet online, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Pas përfundimit të Asamblesë, PPE doli me një rezolutë për zhvillimet në Shqipëri ku vuri theksin në funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira më 25 prill, duke i cilësuar si jetike për integrimin e vendit në BE.
Më tej rezoluta vijon duke i bërë thirrje qeverisë të bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar krizën e thellë kushtetuese dhe politike në Shqipëri, ku ajo që vihet re është se drafti i partive të djathta europiane përmban akuzat e bëra nga PD çdo ditë në media, sikur ta ketë shkruar vetë ajo.
"PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe vlerëson dakordësinë e 5-Qershorit, ndërsa dënon shkeljen e saj nga qeveria me ndryshime ligjore të njëanshme. Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë. Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias", thuhet në rezolutën e PPE.
Gjatë fjalës së tij Basha u ka kërkuar ndihmë për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19, ndërsa nuk i ndali as aty akuzat ndaj qeverisë se ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë dhe nuk ka marrë masat e duhura. Në njoftimin e shpërndarë nga PD, thuhet se Basha ka folur për mungesë të stafeve mjekësore, kapacitete spitalore janë ezaurur, ndërsa numri i të infektuarve dhe fataliteteve është rritur.