Pragu 2 mln lekë për TVSH, Ahmetaj: E mendoi edhe Berisha, s’ka çmime të rritura

10 Prill 2018, 12:24 | Përditesimi i fundit: 2018-04-10 16:04:15

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një konferencë për shtyp sqaroi sot biznesin e vogël për skemën e TVSH-së, një përpjekje kjo siç e quajti, për të hedhur poshtë të gjitha gënjeshtrat e opozitës.
Sipas ministrit, ata që sot në Shqipëri kanë një biznes të vogël duhet të rrinë të qetë, pasi që nga 1 Prilli nuk ka rritje të çmimit. Ai publikoi edhe një vendim të qeverisë Berisha në lidhje më këtë çështje.

“Ju ftoj të jepni një çmim të rritur në dyqanet e lagjeve apo në supermarketet e mëdha që nga 1 prilli. Ajo që kemi thënë, që s’ka rritje çmimesh është fakt, do jetë fakt në vazhdimësi. Përkundrazi inflacioni do të lëvizë në nivelet midis 1.2 dhe 2,4 % brenda parametrave që kemi parashikuar”,- tha ai në nisje.

“Do bëj kronologji për të treguar me gisht gënjeshtratët, një grup i vogël biznesësh, se shqiptarët nuk janë budallenj. Kam një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 29.09.2009 të bërë nga Berisha të firmosur nga Bode, ky vendim ka ulur pragun nga 8 në 5. Nuk po e komentoj nëse ka qënë e duhur apo jo. Vendimi i qeverisë është bërë nga ata që sot bëjnë sikur qajnë për biznesin e vogël. Numri i sipërmarrjeve që do të detyrohen të deklarojnë nga 2 deri në 5 milion është 9900 sipërmarrje të vogla, nën 2 milion janë 60 mijë sipërmarrje të vogla. Ftohen në bazë të vetëdeklarimit”,- tha ai më tej.