Prapaskenat e largimit nga Partizani, Sormani kishte frikë mos infektohej, i kërkoi avokatit të prishte kontratën

15 Korrik 2020, 17:18

5 futbollistë pozitivë tek ekipi i Partizanit përpara derbit me Tiranën ishin mjaftueshëm që trajneri i të kuqve Adolfo Sormani të kishte frikë se mos infektohej me COVID. Të hënën klubi i Partizanit njoftoi prishjen e marrëveshjes me trajnerin italian por Report Tv mëson disa nga prapaskenat e largimit.

Nga frika e infektimit tekniku italian dhe dy ndihmësit e tij nuk e kanë stërvitur skuadrën një ditë para derbit me Tiranën dhe më pas nuk u ulën në pankinë në ndeshjen e së premtes duke e "braktisur" ekipin në ndeshjen më të shumëpritur. Dukej sikur Sormani e "vetëfirmosi" largimin e tij por nuk mbaron me kaq.

Report Tv mëson se ka qënë trajneri italian që i ka kërkuar avokatit të tij prishjen me konsensus të kontratës dhe më pas të gjitha veprimet me klubin Partizani i ka bërë avokati i tij. Kemi të bëjmë me një nderprerje konsensuale të kontratës dhe jo shkarkim pasi trajneri kishte edhe 2 vite kontratë me klubin dhe shkarkimi do ti kushtonte shtrenjtë Partizanit.

Pra nga frika e infektimit duke parë që 5 raste pozitive ishin në skuadër Sormani e shihte të pamundur të vazhdonte dhe i ka kërkuar avokatit të ndërpresë marrëveshjen. Sa i përket 5 futbollistëve që rezultuan pozitiv mësohet se deri më tani ata vijojnë të jenë të izoluar në gjëndje të mirë dhe se tamponin e radhës do e bëjnë vetëm pasi të kenë kaluar 14 ditë nga marrja e tamponit të parë./ Përgatiti Andi Kapxhiu