Shpenzimet e parashikuara ne buxhetin e 2021, në vitin që vjen do të rriten me 8.1 miliardë lekë, duke marrë përsipër të mbulojë nevojat e pandemisë, investimet e shtuara si edhe garantimin e nismave për rritje pagash. Në total shpenzimet për 2021 janë parashikuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë nga 579.5 miliardë lekë që janë parashikuar këtë vit.
“Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë. -Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020”, u shpreh Denaj në Komisionin e Ekonomisë.
Denaj tha se një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojnë edhe për financimin e nevojave të pandemisë. Por në këto shpenzime nuk parashikohet një situatë emergjente e pandemisë.
“Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX), dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19, nëse ne do të jemi në një situatë emergjente ne do të mendojmë se si ky fond do të ndryshojë, por sikundër kemi folur nuk jemi duke menduar një emergjencë”, pohoi Denaj.
Nga ana tjetër relatori Anastas Angjeli tha se duhet ti kushtohet më shumë vëmendje turizmin dhe bujqësinë.