Pr/buxheti 2021 i Ministrisë së Infrastrukturës, Balluku: I pamjaftueshëm, kërkojmë 14.5 mld lekë shtesë!

10 Nëntor 2020, 18:28

TIRANË- Pakënaqësitë e Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me buxhetin e vitit që vjen 2021 po diskutohen në Komisionin e Ekonomisë. Ministrja Belinda Balluku tha se buxheti prej 49.3 miliardë lekësh edhe pse është rritur është i pamjaftueshëm.

“Buxheti 2021 është specifik, dhe është i parashikuar për tu përballur me një vit jo të lehtë. Por duhet pasur parasysh që MIE ka kantiere të hapura që duhet të përfundojnë disa në vitin 2021, por ne parashikojmë që të hapim edhe disa kantiere të tjera në vitin 2021. Ky buxhet jep 49.3 mld lekë për MIE, kemi një rritje prej 4.2 miliardë lekë. Ky buxhet mbulon vetëm 45% të nevojave tona. Në total kërkojmë 14.5 mld lekë shtesë”, deklaroi ministrja.

Vetëm për transportin rrugor ministrja ka kërkuar 12 miliardë lekë shtesë, pasi sipas saj janë plotësuar vetëm 45% e nevojave të sektorit.

“Transporti rrugor mjaft i rëndësishëm është financuar 26.2 miliardë lekë, nga nevoja në 60.5 miliardë lekë pra ka marrë vetëm 45% të nevojave. Përpos faktit që disa nga projektet konsiderohen të nevojshme për tu kryer nuk do të kryer për shkak të mungesës së fondeve. Kemi shqetësim edhe krijimin e detyrimeve të prapambetura. Me këtë fond do të jetë i paevitueshëm krijimi i detyrimeve të prapambetura. Kërkojmë shpenzime korente 2 mld lekë për të rritur mirëmbajtjen e rrugëve. Minimalisht në këtë program të rishikohet ky zë. Mirëmbajtja është proces bazik për ARRSH-në. Kërkojmë rritje të shpenzimeve kapitale me 10 miliardë lekë”, thotë ministrja Balluku.

Për ministren edhe fondet e vendosura në buxhet për vitin 2021 për transportin detar janë të pamjaftueshme.

“Transporti detar është shumë i rëndësishëm, ne kemi nisur proceduar edhe për spostuar portin e Durrësit, ky program është buxhetuar me 155 milionë lekë ndërkohë nevoja është 534 ,mln lekë vetëm 30% e nevojave. Kërkohet shtesë fondesh për të realizuar objektivat në portin e Durrësit dhe Vlorës. Kërkojmë shtesë 200 milionë lekë për shpenzimet e brendshme, 10 milionë lekë shpenzime të jashtme”, thotë ministrja.