Preç Zogaj e Mujo Buçpapaj rrëfejnë ‘8 dhjetorin’: Ishte një ditë zgjimi për demokracinë!

8 Dhjetor 2020, 18:14 | Përditesimi i fundit: 2020-12-08 18:16:04

Në memorie i ruajnë të freskëta kujtimet e 8 dhjetorit të vitit 1990, ku një kryengritje, fillimisht për kërkesa të thjeshta studentore do të kthehej  në një prej ngjarjeve më frymëzuese të historisë së vendin tonë. Preç Zogaj dhe Mujo Buçpapaj, dy prej intelektualëve që iu bashkuan studentëve të asokohe, rendisin momentet që në memorien e tyre ende kumbojnë si para 30 vitesh.

“Themelet e Shqipërisë Demokratike, e demokracisë Evropiane, për Shqipërinë si ë gjithë Europa u plazmua ato ditë. Kishte një prarim, një ndriçim në sytë e mijëra studentëve,  ishte një zgjim i madh. Të gjithe e perceptonin si një gjë të madhe, si një gjë e re që po vinte.”, thotë Zogaj.

“Ishte lëvizja më e pastër dhe më idealiste në historinë e re të shqipërisë, e studentëve pa interesa politike dhe personale. Maj mend fjalinë e famshme të Azem Hajdarit: Unë jam studenti Azem Hajdari dhe nuk do ju tradhëtoj kurrë”, kujton Mujo Buçpapaj. 

Me buzëqeshje kujtojnë sakrificat për të bërë realitet Shqipërinë si e gjithë Europa, teksa bëjnë një bilanc se ku ndodhet ëndrra e qindra studentëve që u ngritën ditëve të ftohta të dhjetorit të 90-tës, edhe pse zhgënjimin nuk e fshehin dot lehtësisht.

“Shqipëria ka humbur shumë kohë në shumë stacione për integrimin europian. Sot e kësaj dite jemi akoma në këtë  rrugëtim të gjatë dhe të papërfunduar.”, thotë në një rrëfim për Report Tv Preç Zogaj.

“Sot disa nga aspiratat që kanë frymëzuar lëvizjen e dhjetorit dhe shoqërinë në atë kohë kanë pësuar një farë regresi.”, shprehet Buçpapaj.

Prec Zogaj nuk pranon që 8 Dhjetori të kthehet në një datë të zakonshme! Rezerva shpreh për mënyrën sesi u kujtua në këtë 30 vjetor ajo ngjarje e rëndësishme.