TIRANE-Drejtuesja e KED-së, Vitore Tusha i kërkon Ardian Dvoranit që të rikthehet në mbledhjen e institucionit të rëndësishëm që u krijua nga reforma në drejtësi. Ish-kreu i KED-së, Ardian Dvorani në një letër të gjatë drejtuar KED-së që po zhvillon mbledhjen ditën e sotme thotë se Vitore Tusha i ka telefonuar tre ditë më parë dhe një ditë më pas e ka njoftuar me e-mail për mbledhjen e sotme, ku duhet të merrte pjesë.
Por Dovrani deklaron se e konsideron të papërshtatshme qenien i pranishëm në këtë mbledhje të Këshillit, deri në diskutimin dhe vendimmarrjen e domosdoshme të KED-së për çështjen e vijueshmërisë ose jo të ushtrimit të detyrës së tij si anëtar i këtij institucioni në mbledhjet dhe veprimtaritë e ardhshme të tij.
Zanafilla nisi dy muaj më parë ku pas kërkesës së Presidentit Ilir Meta, KLGJ-ja vendosi përfundimin e mandatit të Dvoranit si anëtar i gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht si kryetar i KED-së. Por Vitore Tusha i kërkoi që të merrte pjesë në mbledhjet e KED-së nisur nga precedenti i Arta Markut.
Arta Marku vijon që të jetë ende anëtare e KED-së edhe pse u largua nga posti Kryeprokurores. Në momentin që u zgjodh në dhjetor të vitit të kaluar, Marku ishte në krye të Prokurorisë së përgjithshme, por më pas u zëvendësua nga Olsian Çela, por pavarësisht kësaj dhe faktit që aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ajo vijon që të jetë anëtare e KED-së.
Në letrën drejtuar KED-së, në mbështetje të thirrjes së Vitore Tushës, Dvorani përforcon argumentet se përse duhet të rikthehet në Këshill deri në fund të vitit, kur mbaron mandati i anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm të reformës në drejtësi.