Preken nga rruga Shkodër-Velipojë, banorët e Bërdicës: Dëmshpërblim sipas tregut ose bllokojmë punimet

26 Nëntor 2018, 19:50

Banorët e zonës që preken nga rruga e re Velipojë-Shkodër shprehin shqetësimet e tyre sa i përket dëmshpërblimeve për tokat të cilat janë marrë për të zhvilluar trasenë e rrugës. Ato thonë se deri tani nuk kanë marrë asgjë ndërkohë që kanë kaluar dy vite që prej fillimit të kësaj rruge.

Banorët e Berdicës kanë reaguar sot pasi akoma nuk janë shpronësuar për tokat e marra nga investimi për rrugën e re të Velipojës. Janë afro 100 familje që prekën nga ky investim vetëm në zonën e Berdicës. Ata nuk pranojnë të kompensohen sipas çmimit të vënë nga Autoritetit Rrugor Shqiptar i cili sipas tyre ka përllogaritur tokat me një vlerë qesharake. Banorët thonë se nuk do lejojnë vijimin e punimeve pa marrë kompensimin sipas çmimit real të tregut.

Prej 22 muajsh banorëve të Berdicës në Shkodër u janë marrë tokat qe i kanë me certifikatë pronësie ndërsa nuk kanë parë asnjë qindarkë. Ata deklarojnë se jetojnë me bujqësi ndaj dhe gjendja e tyre ekonomike është vështirësuar. Ndër të tjera kërkojnë që projekti i rrugës turistike të Velipojës të rishikohet dhe t’u lihet rrugë dytësore dhjetëra familjeve që jetojnë aty.