Preket nga Unaza/ Pronari i shtëpisë në Laprakë: Ja dokumentat, do të vetëflijohem

4 Dhjetor 2018, 13:51

Pronari i banesës në Laprakë, Bujar Nela shprehet se është njoftuar vetëm dje se banesa nuk legalizohet, ndërsa shton se vendimin e ka ankimuar dhe se nuk do të heqë dorë deri në një vendim të formës së prerë. Ai thotë se nuk do të dalë nga banesa dhe se do të vetëflijohet nëse IKMT ndërhynë.

“Nuk kam dijeni, dje më erdhi njoftimi se nuk legalizohet. Dokumentet i kam dorëzuar në 2005, por dje më erdhi përgjigja se nuk legalizohet. Dua përgjigjen origjinale, pasi shteti erdhi për të më prishur shtëpinë me një fotokopje, që nuk ka vlerë ligjore, do ta hedh në gjyq projektin. Shteti erdhi pa ligj për të më prishur shtëpinë. Bëra një ankimim kundër skualifikimit për legalizim.

Pasi edhe njoftimi thotë se ke 30 ditë afat për ankimim. Kur vendimi të marrë formën e prerë atëherë do të heqë dorë. Unë do të vetëflijohem, nuk do të dal nga banesa. Kam punuar për këta fëmijë, por nuk mund ti shoh në rrugë. Kam nënën 90-vjeçe dhe dy vajza, fëmijët i kam larguar nga këtu, pasi janë 15-vjeç’deklaroi ai.