Premtimet ekonomike të politikës në pandemi, eksperti: Jo ndryshime të taksave, në fokus duhet rimëkëmbja

7 Mars 2021, 17:42

Në një kohë që kampet politike kanë nisur garën për programet ekonomike, ekspertët e konsiderojnë të pavend luftën me taksat. Sipas tyre është koha të mendojmë për rimëkëmbjen ekonomike, të mbushim arkën e buxhetit të shtetit e cila është zbrazur nga tërmeti dhe pandemia  e më pas të propozojmë ndryshime fiskale, të tilla si ulje apo rritje taksash.

“Ne kemi parë që premtimet elektorale që bëhen të mëdha por buxheti nuk i mban dot për shkak se e tejkalojnë me 2 pse 3 herë kapacitetin e buxhetit. Dhe jo më tani kur kemi edhe pandeminë, që e ka goditur rëndë. Do duhen vite të tëra për të rikuperuar pjesën e buxhetit që lidhen me deficitin buxhetor, dhe nuk ka më nevojë për politika të mëdha sepse nuk ka hapësira fiskale. Duhet një modifikim i politikës aktuale brenda nevojave që ka buxheti, lehtësim i barrëve administrative ndër vite. Pra të jepen disa pushime fiskale të përkohshme”, thotë eksperti fiskal Eduart Gjokutaj.