Presidenca: Të pezullohet ligji për Teatrin Kombëtar

22 Janar 2020, 12:27 | Përditesimi i fundit: 2020-01-22 13:59:32

Presidenca nuk tërhiqet nga shfuqizimi i ligjit për teatrin dhe i kërkon gjykatës kushtetuese të shpallë sa më shpejt një vendimmarrje në lidhje me pezullimin e këtij ligji deri në formimin e trupës gjykuese për ta shqyrtuar në seancë publike pasi prishja e teatrit do të sillte pasoja të parikuperueshme.

ReportTv ka siguruar ekskluzivisht vërejtjet e presidencës depozituar një ditë më parë në kushtetuese ku ndër të tjera thuhet se  “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, i miratuar nga Kuvendi në datë 05.07.2018 dhe në datë 20.09.2018:  nuk është në përputhje me parimet kushtetuese; bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; bie ndesh me aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo ka ratifikuar;  bie ndesh me përcaktimet e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit; në thelb, dispozitat e këtij ligji përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë dhe bien ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës; Më tej presidenca në vërejtjet e saj shton se ky ligj  “cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; bie në kundërshtim me jurisprudencën kushtetuese të krijuar nga Gjykata Kushtetuese, mbi parimet e funksionimit të organeve të qeverisjes vendore dhe ushtrimit të kompetencave prej tyre në përputhje me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore; cenon parimin e sigurisë juridike lidhur me ushtrimin e të drejtave pronësore mbi të drejtat private të pronësisë; nuk garanton mbrojtjen e pronës publike; Ndalur tek fatura ekonomike e këtij ligji presidenca thotë se paraqet mangësi dhe paqartësi të theksuara në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren të përshtatshëm për abuzim me pronën publike dhe cenimin e interesit publik".

Burime nga kushtetuesja për ReportTv bënë me dije se deri javën e parë të muajit shkurt do të dalin me një vendim për kërkesën e pezullimit të këtij ligji deri në formimin e trupës gjykuese. Aktualisht gjykata kushtetuese ka vendosur që kjo padi të shqyrtohet në seancë plenare cka do të thotë se duhet pritur plotësimi i gjykatës edhe me dy gjyqtarë të tjerë nga katër që ka aktualisht për të krijuar minimumin e 6 anëtarëve për seancë plenare. E deri atëherë presidenca kërkon një seancë sa më të shpejtë për të vendosur pezullimin e këtij ligji deri në vendimmarrjen finale të gjykatës, pasi sipas argumenteve të presidencës “subjektet e interesuara palë në këtë proces, Bashkia Tiranë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Kulturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, janë duke vijuar me procedurat në zbatim të këtij ligji antikushtetues, të cilat parashikojnë dhe sjellin si pasojë prishjen e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar.