Presidenti anulon zgjedhjet e 30 qershorit, Kryemadhi: Kam dy javë që nuk flas me Metën

8 Qershor 2019, 20:43

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, thotë se nuk ka komunikuar me Ilir Metën, bashkëshortin e saj president, dhe shton se nuk ka ndikim në vendimin që kreu i shtetit mori papritur këtë të shtunë, duke shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e duke anuluar 30 qershorin si datë të garës elektorale për vendoret. Në një prononcim për gazetarët në nisje të protestës së tetë kombëtare të opozitës joparlamentare kundër qeverisë, Kryemadhi tha se ka qenë në Itali ku i është nënshtruar një operacioni dhe se prej dy javësh nuk ka pasur asnjë komunikim me Metën. E çuditshme kjo deklaratë, pasi edhe vetë gazetarët e pyetën se si ka mundësi që bashkëshorti të mos kishte folur me të për tu interesuar mbi operacionin e kryer. Kryemadhi u shrpeh se ndryshimi i datës nuk ka rëndësi, pasi i vetmi prioritet është largimi i kryeministrit Edi Rama.

"Për mua nuk ka rëndësi bëhen apo jo zgjedhjet, ndryshon apo nuk ndryshon data. Ky njeri duhet të ikë se ku njeri ka ardhur nga votat e krimit.

Nuk kam ndikuar fare në vendimin e tij, qëkur kam ikur për tu operuar kam dy javë pa e takuar. Nuk kemi biseduar fare.

Protestat do të vijojnë nuk ka dialog me Ramën kryeministër", tha Kryemadhi.

Edhe kreu i qeverisë reagoi menjëherë pas vendimit të Metës, duke e quajtur një gabim të madh, ndërkohë që këmbënguli se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

"Nuk kam kohën që të harxhoj çfarë thotë Rama. ne jemi këtu për t'ju thënë që shumica e shqiptarëve pa dallim bindjesh politike janë kundër politikave të tij diskriminuese. Ta harrojë politikën, politika ka marrë fund në Shqipëri", tha ajo.

    No videos found.