Presidenti francez Emmanuel Macron pozitiv me COVID-19

17 Dhjetor 2020, 15:16

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

42-vjeçari bëri një test për Covid-19 pasi atij iu shfaqën disa simptoma  thuhet në një deklaratë nga Pallati Elysee.

“Presidenti i Republikës është diagnostikuar sot pozitiv për COVID-19. Kjo diagnozë u bë pas një testi PCR të kryer pas shfaqjes së simptomave të para”, thuhet në deklaratë.

Macron, në përputhje me rregullat e sigurisë do të izolohet për 7 ditë dhe do ta drejtojë vendin nga karantina, tha një zyrtar.

Presidenti francez është një nga disa krerët e shteteve dhe qeverive në të gjithë botën që janë infektuar me Covid-19, përfshirë Kryeministrin Britanik Boris Johnson dhe Presidentin e SHBA Donald Trump.

Franca këtë javë vendosi një shtetrrethim brenda natës për të ndihmuar në vënien nën kontroll të rasteve atje.

Ka pasur dy milion raste të konfirmuara në vend që nga fillimi i epidemisë, me më shumë se 59,400 vdekje, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Deklarata nuk përmend nëse gruaja e Macron Brigitte, e cila është 67 vjeç, ka rezultuar pozitive.