Festim Lato, politikani shqiptar që u gjet i vrarë disa javë më parë në kanalin Rijn të Amsterdamit vijon që të përplasë autoritetet holandeze. “Telegraaf” në një artikull të fundit të zgjeruar rreth aktivitetit të tij ka zbuluar se Lato kishte ushtrinë e tij private në fshatin Gelderland të Afferdenit. Autoritetet holandeze, policia, prokuroria, por edhe bashkia nuk kishin ndërhyrë asnjëherë.
Presidenti i vetëshpallur i Çamërisë jetonte në një fermë në Kerkdam në Afferden të cilën e kishte kthyer në kazermë të mbushur me ushtri private. Në kohët e fundit ai kishte bërë një paradë ushtarake në fermën e tij. “Kjo është ushtria që po e ndërtoj”, i ka thënë Lato një ish-punëtori, sipas gazetës. Policia ishte vendosur në dijeni, por nuk kishte ndërhyrë asnjëherë, ndërkohë që i vetmi hetim për Laton nga prokuroria ishte për mashtrim dhe jo për ushtrinë dhe armatimet që kishte në fermën e tij, teksa kanë publikuar pamjet.
Një sipërmarrës holandez, që ishte prezent në paradën ushtarake u shpreh se ishte mrekulluar nga ushtria private në brendësi të Gelderlandit. “Se këtë e lejuan politikanët holandezë, nuk mundem ta them. Si ia doli Lato të bënte gjithë këtë? E shikoja me çudi. Por presidenti më premtoi se do të ndërtojë 210 kilometra rrugë të reja në shtetin e tij të ri, Çamëri” tha ai.
Disa deputetë holandezë kanë kërkuar sqarime nga autoritetet se përse nuk ndërhynë dhe cfarë po bëhet me armatimet që Lato kishte grumbulluar. "Ky njeri ishte potencialisht i rrezikshëm dhe shkelte ligje të shumta. Dua të di nga ministri nëse kishte dijeni për atë që po ndodhte. Unë gjithashtu dua të di se ku ka shkuar kjo ushtri private dhe veçanërisht ku janë armët tani.Ai ka mundësi që një mashtrues nga një vend i panjohur të krijojë ushtri këtu?!" thanë disa prej tyre.
Kush ishte Festim Lato?
I vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë' ai lindi në Vlorë në vitin 1976, ndërsa jetonte në Holandë. Ai e fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze. Lato ishte vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë', ndërsa në Shqipëri ka një histori të gjatë me drejtësinë. Në Shqipëri ishte shpallur 'non grata' dhe ish-kryeministri Sali Beriaha ja kishte ndaluar të vinte në Shqipëri.
Ai ishte dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, që u merrte qytetarëve të ndryshëm me justifikimin për kauzën e Çamërisë. Në profilin e tij në faqen e Facebook-ut ai ka publikuar disa foto nga aktivitetet që sipas tij realizonte në Bruksel dhe vende të tjera për kauzën çame.
Kundër tij nuk kanë munguar demaskimet për mbledhjen e fondeve përmes mashtrimeve, por që nuk kanë asgjë serioze për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Historiani Arben Llalla në një shkrim në vitin 2017 e cilësonte si mashtrues që gënjente në emër cështjes çame. Ai u gjet i vrare pak jave me pare ne Holande. Trupi i tij u gjet ne nje kanal, ndersa pista ku po hetohet eshte mashtrimi.