TIRANE - Dekretohet ligji për “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Zëdhënësi i presidencës Tedi Blushi, deklaroi sot se këto ndryshime duhet të ishin miratuar prej kohësh nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu Blushi ka kërkuar mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
Presidenti i Republikës ka dekretuar gjithashtu 3 ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë. Bëhet fjalë për ligjin për “Mbrojtjen Civile”, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për taksat kombëtare të ndryshuara, dhe ligjin për Asistencën Sociale. Nga korriku i vitti 2017 kur Ilir Meta mori detyrën si president ka marrë në shqyrtim 193 ligje, nga të cilat ka dekretuar me miratim 156 ligje, ka kthyer në Kuvend 14 të tillë dhe ka vendosur të lërë në heshtje 16 ligje.
Deklarata e zëdhënësit Tedi Blushi
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11242, datë 30.07.2019, ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.