Presidenti si në përplasjet më të ashpra elektorale me Ramën, Meta: Ai ka probleme me gjendjen e tij mendore! Unë nuk pi kokainë

10 Mars 2021, 17:18

Nga Fieri, Presidenti Meta u shfaq para gazetarëve si në ditët më të ashpra të çdo fushate elektorale. Teksa foli për zgjedhjet dhe politikën, Meta tha për Kryeministrin Rama se ka probleme shëndetësore.

Duke komentuar foton e publikuar nga kryeministri Edi Rama që e vuri atë përballë ministres Etilda Gjonaj  teksa ishte duke pirë ujë, duke e lidhur me reformën në drejtësi, Meta tha se 'unë nuk pi kokainë', duke e akuzuar kreun e Partisë Socialiste se del garant para mafias ndërkombëtare për të pastruar lekët e saj. 

Në konferencën për shtyp nga Fieri, Meta tha gjithashtu se dosjet e Shijakut dhe të Dibrës kanë mbajtur peng integrimin evropian. Ai është shprehur se Shqipëria ka humbur një kohë të jashtëzakonshme që prej vitit 2006 kur firmosëm MSA-në. Ndaj është momenti për referendum.

"Presidenti ka vetëm një votë dhe vota e tij duhet të jetë e barabartë me votën e çdo qytetari në çdo cep të Shqipërisë.  Me rëndësi pjesëmarrja masive në zgjedhjet e 25 prillit. Është me rëndësi pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve shqiptarë më 25 prill. E gjithë Evropa pret mbarëvajtjen e zgjedhjeve për të vendosur hapjen e negociatave. Dosjet e Shijakut dhe të Dibrës kanë mbajtur peng integrimin evropian. Ashtu si edhe mos hetimi i krimeve elektorale.  Kriza e legjitimitetit të institucioneve është problematika më e madhe në vend. Edhe unë vetë kam qenë i hapur që Presidenti të zgjidhej nga popullit, në mënyrë që t'i jepej fund kësaj situate prej vitesh", tha Meta.

Meta pati edhe një sulm  për ndërkombëtarët, të cilëve sipas tij populli shqiptar do t’u japë një leksion më 25 prill të gjithë atyre që na konsiderojnë një popull sorrash.