Prezantohen 50 dronët që 'flasin', fluturim mbi lagje 24 orë, identifikojnë kë shkel karantinën

13 Prill 2020, 14:17 | Përditesimi i fundit: 2020-04-13 14:22:41

TIRANË -Përveç forcave të policisë dhe të ushtrisë në terren, për të monitoruar nëse qytetarët shqiptarë po e respektojnë karantinën dhe fashat orare që lejohen për të dalë, mbi kokat e tyre do të jetë edhe droni! 

50 dronë inteligjentë janë ngritur në fluturim për të identifikuar shkelësit e karantinës në të gjithë vendin. Përkrah patrullave të policisë e ushtrisë dronët do të jenë në fluturim në 24 orë për të monitoruar lagje e rrugica, aty ku qytetarët, duke mos parë patrulla policie shkelin karantinën. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili prezantoi dronet inteligjentë, u bëri apel qytetarëve të respektojnë rregullat pasi fasha orare është zgjatur vetëm për ata që vërtet kanë emergjencë dalje dhe jo për të gjithë.

Ndërkohë që edhe ku ka situata si grumbullime, droni me një audio do t'i bëjë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e distancimit social.

Droni lëvizës ka kamera përmes së cilës ka aftësi të identifikojnë personin që kryen shkeljen, pasi është i lidhur online me serverët e policisë, targës së automjetit e pronarit të saj si dhe ka aftësi për të filmuar e identifikuar edhe përgjatë natës.