Prezantohet buxheti 2020 për arsimin, Shahini: Rritje me 8.7%, në fokus Pakti për Universitetin

14 Nëntor 2019, 16:06

42.5 miliardë lekë është buxheti i vendosur në dispozicion për Ministrinë e Arsimit, nga buxheti i shtetit. Në krahasimin me vitin e kaluar ka një rritje me 8.7%.

Gjatë komisionit të edukimit ku u diskutua në parim projektligji për Buxhetin e Vitit 2020, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, sqaroi se ndër të tjera fondet do të përdoren për mbështetjen studentore, për konviktet dhe për ndërtimin e rikonstruksionin e objekteve të reja shkollore.

Dy prej fushave kryesore që do të shohin të reflektuar rritjen në buxhetit për arsim janë Pakti për Universitetin dhe pjesa e dytë që e përjeton rritjen më të madhe është edhe infrastruktura, si në Arsimin Parauniversitar ashtu dhe në arsimin e lartë.

Buxheti për Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë përbën diku 8% të buxhetit total. Është një përqindje goxha e madhe dhe reflekton edhe rëndësinë që ka sektori për qeverinë shqiptare”- u shpreh ministrja Besa Shahini

Përsa i përket arsimit profesional, zv. ministrja e financave dhe ekonomisë, Dajna Sorensen sqaroi se fondet për këtë vit janë rritur me 1%, ku buxheti për arsimin profesional është caktuar 3.3 miliardë lekë.