Për policinë dhe prokurorinë e Fierit nuk ka asnjë dyshim që vrasësi i Ahmet Toskës në datën 26 tetor 2020, të mos jetë personi i arrestuar Fatmir Hoxhaj. Pamjet filmike të sekuestruara në vendin e ngjarjes, kanë çuar grupin e hetimit, se autor i vrasjes së Toskës në sy të gruas të tij, Enida Toska, është personi me kombësi shqiptare dhe italiane Fatmir Hoxhaj. Në materialin hetimor të policisë, thuhet se Fatmir Hoxhaj, ka pritur objektivin e tij, qysh prej orës 05:27 të mëngjesit, duke qëndruar në një rrugicë, ku Hoxhaj ka menduar se nuk do shihej nga kalimtarë dhe besonte se aty nuk kishte kamera. Por ai ka gabuar, pasi një kamera që ka sekuestruar policia në ambientet e banesës së A. B, ka filmuar të gjitha lëvizjet e vrasësit, si dhe momentin e ekzekutimit. Pamjet filmike që tregojnë momentin e vrasjes, policia i ka verifikuar në datën 5 nëntor 2020 në prani të gruas së viktimës, shtetasen Enida Toska, e cila ka konfirmuar se personi që shfaqet në filmim me maskë kirurgjikale dhe një kapuç në kokë, është pikërisht njeriu që qëlloi mbi burrin e saj.Ahmet Toska, është goditur në sy të gruas së tij me 4 plumba, tre në kokë dhe një në shpatull, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia thotë se autori është shfaqur në vendngjarje pikërisht në orën 05:27 të mëngjesit, i cili ka kryer lëvizje në rrugën e lagjes deri në orën 05:46. “…personi kryen lëvizje që kanë karakteristika të veçanta në ecje, ecje atipike që ka të bëjë me pozicionimin e këmbës dhe ecjes që mendohet të ketë probleme…”-thotë policia. Pikërisht në orën 05:46 të mëngjesit, autori fiksohet nga një kamerë teksa largohet me vrap nga lagjja “Sheq i madh”, në drejtim të gomisterisë së Julian Çepeles dhe më pas humbet. Ndërsa policia sqaron se në orën 05:47, shfaqet në rrugë gruaja e Ahmet Toskës, Enida Toska, e cila kryen lëvizje të ç’rregullta duke u përkulur dhe vënë duart në kokë si dhe parë nga drejtimi i gomisterisë, drejtim i cili u largua i dyshuari.
