Pr.ligj për rritjen e startup-eve/ Sipërmarrësit e rinj nuk do paguajnë taksa vendore e tatim fitim

3 Nëntor 2020, 16:22

Mbështetja e ideve të reja për mënyrën e të bërit biznes në vend ka nxitur qeverinë që të hartojë një draft-ligj të ri, i cili mbështet kryesisht bizneset e teknologjisë dhe të inovacionit. Projektligji synon të krijojë një Agjenci të Posaçme e cila do të asistojë pikërisht këto biznese, si në anën fiskale ashtu edhe në atë ligjore.

Deri më tani në vend ka munguar një kuadër ligjor që rregullonte aktivitetin e këtyre sipërmarrjeve. Drafti është hartuar për të favorizuar krijimin e bizneseve të reja në këtë drejtim, duke pasur në konsideratë edhe ndikim që teknologjia ka në zhvillimin ekonomik në shumë vende.

Të gjithë nismëtarët e startup-eve do të lidhin një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare për Startup-et Inovative “Startup Albania”, dhe kjo e fundit do të nxis avancimin e tyre.

Për të rritur sa më shumë numrin e sipërmarrjeve që operojnë në këtë fushë nëpërmjet projektligjit të hedhur për konsultim publik thuhet se këto biznese nuk do të paguajnë 3 taksa.

Sipas relacionit të bashkëlidhur draftit thuhet se për dy vite që quhet periudha e inkubimit, startup nuk do të paguajnë taksat vendore mbi pasuritë e paluajtshme, të ndërtesës dhe tatim mbi fitimin (që është hequr për të gjithë bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë). Po ashtu për 24 muaj ata do të përfitojnë grante financiare, garantimin e një pjese të riskut të kreditimit, si dhe masa të tjera në aspektin e promovimit të tyre.

Ky sektor shikohet me rëndësi të veçantë edhe për të tërhequr investitor të huaj.

“Zbatimi i mekanizmave mbështetës për krijimin dhe zhvillimin e Startup-eve të reja, duke nxitur krijimin e një mjedisi të favorshëm dhe duke synuar thithjen e aktorëve që mungojnë aktualisht”, vijon relacionin shpjegues.