Procesi gjyqësor/ Akuza s’lëshon pe, apelon 3 vendime pafajësie të Shullazit

4 Dhjetor 2018, 13:25

Pas ankimimit të Emiljano Shullazit dhe katër bashkëpandehurve kundër vendimit me 55 vite burg në total, për ta në Apelin e Krimeve të Rënda ka “trokitur” edhe Prokuroria. Prokurorët kanë vendosur të mos lëshojnë pe për këtë çështje, duke ankimuar tre vendimet e pafajësisë që gjykata dha për Emiljano Shullazin. Ky i fundit u deklarua i pafajshëm për rastin e kërcënimit të profesorëve Dhori Kule, Mynyr Koni, biznesmenit Jani Zaka dhe biznesmenit tjetër në Lushnjë Adriatik Kërçuku. Përfaqësuesit e organit të akuzës kanë kundështuar vendimin e 13 Nëntorit të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për dosjen “Shullazi”, duke kërkuar që për këtë tre raste Shullazi të deklarohet fajtor. Sipas burimeve, prokuroria kërkon prishjen e vendimit për rastet ku Shullazi apo të bashkëpandehurit fituan pafajësi për disa prej veprave penale. Në Shkallën e Parë të pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë. Shullazi u deklarua i fajshëm për dy akuza gjobëvënie dhe “grup të strukturuar kriminal”, por fitoi pafajësi për tre ngjarje të tjera.