Procesverbalet/ Kur Berisha tentoi të fuste në burg Genc Rulin për skandalin e drurit të arrës në ’95, si mbrojti Pandeli Majko

8 Gusht 2020, 15:28

Tre vjet më parë akuzonte Lulzim Bashën se kishte bërë listat e deputetëve me gruan e tij dhe kunatin, ndërsa sot Genc Ruli është pjesë e një komisioni të ngritur nga Basha për vlerësimin e kandidatëve për deputetë. Pas rikthimit, Ruli i dha edhe një mesazh të koduar Sali Berishës, teksa tha se Berisha e ka marrë tashmë lavdinë nga politike, duke i kërkuar në mënyrë të tërthortë t’i japë fund karrierës politike dhe të mos kandidojë për deputet në zgjedhjet e 2021. Genc Ruli ka qenë për 8 vite ministër në qeverinë ‘Berisha’ 2005-2013, katërvjeçarin e parë ministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa , katërvjeçarin e dytë ministër i Bujqësisë.

Ruli është në listën e të kallëzuarve nga Kuvendi për aferën CEZ me kosto mbi 400 milionë euro për buxhetin e shtetit, ndërsa është akuzuar edhe vendime abuzimeve në lidhjet me shfrytëzimin e minierave. Gjatë pushtetit të parë të Berishës, Ruli ishte ministër i Financave dhe Ekonomisë në vitet 1992-1993. Dy vjet pasi e shkarkoi si ministër, në vitin 2995, Sali Berisha tentoi të fuste në burg Genc Rulin, përmes ushtarit të tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Alush Dragoshi, të cilin e përdorte për të goditur kundërshtarët e tij politikë si dhe atë që nuk i bindeshin në PD dhe në organet e drejtësisë.

Berisha e kërcënoi Rulin me burg në 16 mars të vitit 1995, teksa futi në axhendën e Kuvendit të kontrolluar prej tij, një kërkesë të kryeprokurorit Alush Dragoshi, për t’i hequr imunitetin Rulit për skandalin e drurit të arrës. Ruli akuzohej nga kryeprokurori Dragoshoi si i implikuar në zhdukjen e 400 metra kub dru arre. Gjatë fjalës së tij të gjatë mbrojtëse në Kuvend, Ruli hodhi akuza të rënda ndaj kryeprokurorit Alush Drogoshi, si i paaftë, mbrojtës i korrupsionit dhe se kishte sajuar çështjen e ‘drurit të arrës’. Madje, Ruli kërkoi edhe një mocion mosbesimi ndaj Dragoshit në Kuvend. Me akuzat ndaj kryeprokurorit Ruli po i jepte një mesazh edhe Berishës. 

Në radhët e socialistëve, Pandeli Majko i doli në mbrojtje Genc Rulit. Sipas Majkos, Ruli është një nga përfaqësuesit më dinjitozë dhe ekspertët e rrallë të PD-së. Majko tha gjatë seancës se procesi ndaj Rulit kishte nisur kohë më parë dhe jo nga drejtësia. Po pse Berisha po e kërcënonte Rulin me burg? Sipas deputetit të PS, Musa Ulqini, shkak ishte bërë çështja “Arsidi”. Bëhet fjalë për një sekserin Nicholas Arsidi, një bankier francez, i cili erdhi për të negociuar borxhin e madh të jashtëm që kishte Shqipëria.