Procesverbali/ 'Gjyshi i Shkëlzenit bëri pallat kur Berisha ishte President', akuza e Metës në 2002

10 Gusht 2020, 12:02

TIRANË- Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë një raport dinamik 30-vjeçar, i shënjuar nga kthesa të papritura, akuza të rënda, sulme, hakmarrje, aleanca, flirte, dobësi dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit, mesazhe të koduara kërcënuese, por edhe dashamirësie, bashkëqeverisje dhe braktisje. Kulmi i armiqësisë së tyre ishte në vitet 2000, kur Meta rrezikoi të merrej peng në Tropojë nga njerëzit e Berishës, pasur nga një hakmarrje e Metës, ku mesnatën e 28 nëntorit të vitit 2000, Sali Berisha u shoqërua në polici. Kjo perjudhë është shoqëruar edhe nga një fushatë e ashpër e Berishës, i cili denonconte korrupsionin e qeverisë së Ilir Metës. Në seancën plenare të 13 korrikut 2000, Ilir Meta, në atë kohë kryeministër, duke iu përgjigjur akuzave të Berishës, deklaron se vjehrri i Berishës, pra gjyshi i Shkëlzenit, kishte bërë një pallat gjatë kohës kur Berisha ishte president.

Bëhet fjalë për babain e Liri Berishës, Rexhep Ramajn, i cili gjithnjë sipas pretendimeve të Ilir Metës, kishte ndërtuar një kullë, pa dhënë detaje të tjera rreth saj. Meta e artikulonte këtë akuzë në cilësinë e kryeministrit, duke pasur informacione të hollësishme, ndërsa çuditërisht Berisha as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka konfirmuar pallatin e vjehrrit. Nga procesverbali i debateve të siguruar nga Shqiptarja.com, Berisha nuk ka reaguar pas pretendimit të Metës dhe as nuk e ka marrë më fjalën gjatë asaj seance. Çështja e pallatin të vjehrrit të Berishës nuk është përmendur më pas nga Ilir Meta. Megjithatë, raportet mes Metës dhe Berishës vijuan të ishin të zymta deri në verën e viti 2009, kur vendosën të qeverisnin sëbashku.Në mars të 2013, Meta braktisin Berishën duke u bashkuar me Edi Ramën. Gjatë viteve 2014-2015, Berisha ndërmori disa aksione politike kundër Metës, sidomos për skandalin finaciar CEZ-DIA dhe akuzat për porositjen e pretenduar për vrasjen e Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Fushatën e fundit kundër Metës e udhëhoqi Lulzim Basha para zgjedhjeve parlamentare të 2017. Një vit më pas, PD-LSI u bashkuan në opozitë kundër PS në pushtet, bashkim i cili afroi sërish Metën dhe Berishën, të cilët tashmë kishin edhe një betejë të përbashkët, atë kundër reformës në drejtësi. Ndërkaq, në 2 mars 2020, Berisha mori pjesë në mitingun e organizuar nga Meta në oborrin e Presidencës me qëllim për të rrëzuar qeverinë Rama.