Prodhim i bollshëm i vajit të ullirit në Dumre/ Fermerët për Report Tv: Nuk ka treg, ka rënë edhe çmimi

8 Dhjetor 2020, 18:11

DUMRE-Ullinjtë kanë pasur prodhim të bollshëm këtë vit. Në zonën e Dumresë janë shumëfishuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë bujqësore.

“Dumreja është një zonë kodrinore dhe prodhon një vaj shumë cilësor. 3 vitet e fundit, me investimet në Dumre kanë ardhur dhe vizitorë. Në këtë sezon kanë ardhur për të blerë dhe vaj ulliri", shprehet një fermer për mikrofonin e Report Tv.

Pjesa më e madhe e prodhimit shkon në fabrika ku përpunohet vaji.

 “Viti i kaluar ka qenë një vit  i dobët në sasinë e prodhimit por çmimi ka qenë i lartë, pasi dihet që kur ka pak prodhim kërkesa ne treg është e madhe dhe çmimi rritet. Këtë vit ka superprodhim, kur ka mbiprodhim atëherë edhe sasia e vajit bie”, thotë Gëzim Paja, prodhues.

Këtë vit një kilogram vaj ulliri në zonën e Dumresë kushton 400 lek.

 “Kam 3 dylym. Gjithsej kam bërë 170 kg. Tregu ka rënë shumë, vjet ka qenë 5 , por sivjet ka rënë është bërë me 4, nuk është i arsyeshëm çmimi po ne nga e keqja do e japim s’kemi ku e çojmë”, thotë një tjetër fermer.

Rënia e çmimit vjen si pasojë e rritjes së prodhimit.

 “Prodhimi çdo vit vjen në rritje dhe detyrimisht duhet të gjejmë një treg akoma më të garantuar, që fermerët të ndihen komod kur të vjen sezoni i vjeljes së ullirit”, thotë Paja.

Mungesa e një pike grumbullimi është kthyer në një problem të përhershëm sezonal për fermerët dhe prodhuesit e vajit të ullirit.

“Ne kërkojmë të gjendet tregu, dhe çmimi të rritet”.

Aktualisht në zonën e Dumresë janë mbi 1500 hektarë të mbjella me ullinj. Shqetësimi kryesor i fermerëve dhe prodhuesve është sigurimi i tregut për vajin e ullirit.