Profesorja nga Bjellorusia për Report Tv: Nuk kthehemi mbrapa, demokracia rruga e vetme, do të rrëzojmë Lukashenkon

19 Gusht 2020, 14:02

"Ne nuk mund të kthehemi mbrapa në drejtim të diktaturës. E vetmja rrugë për ne është të ecim përpara drejt demokracisë".  Kështu shprehet Nataliya Grigoryeva, profesore në Universitetin teknik të Bjellorusisë në një intervistë ekskluzive për Report Tv, teksa rrëfen me një emocion që nuk mund ta fshehë, protestat e ditëve të fundit në vend. Për të dhe për të gjithë protestuesit, kjo situatë është e jashtëzakonshme, pasi qytetarët bjellorusë për të parën herë në 26 vite u ngritën kundër regjimit të Lukashenko-s, në betejë për demokracinë.

"Natyrisht ka qene ngjarja më e madhe për vendin gjatë këtij shekulli. Për 26 vite nuk ishte lejuar asnjëherë një grup kaq i madh njerëzish të mblidheshin në një vend. Për ne ky ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Njerëzit ishin tejet të lumtur për të parë se ishim të gjithë bashkë për të parë ndryshime. Pas zgjedhjeve presidenciale të gjithë duan ndryshime" shprehet Nataliya Grigoryeva.

Megjithëse në zërin e saj mund të dalloje ende pasiguri dhe frikë për fatin e atyre që ende rezultojnë të zhdukur. "Situata është ende shumë e turbullt, nuk dihet ende sesa njerëz ishin të burgosur dhe sa njerëz janë akoma pas kangjellave. E gjithë kjo vjen sepse qeveria nuk tregon informacion të qartë. Ata po fshehin shumë njerëz dhe ne nuk e dimë akoma sesa janë të lënduar apo të humbur".

Nataliya, rrëfen se megjithëse për ta ishte e vështirë të bashkoheshin, pasi në vend për tre ditë kishte munguar mbulimi me internet. Teksa rrëfen përjetim et e saj gjatë “Marshimit për Liri” organizuar të dielën, në fjalët e saj mund të shohësh ndjenja të mëdha krenarie dhe lumturi për atë që kishin arritur të bënim.

"Ne shkuam në Minsk dhe në qendër të qytetit. Pamë popullin bjellorus në atë gjendje dhe ishte e jashtëzakonshme, nuk di si ta quaj festë mbase. Sepse këdo takoje rrugëve ishte i buzëqeshur dhe përqafonin njëri tjetrin. Çdo gjë ishte e mrekullueshme! Për të parën herë ne e ndjemë më të vërtetë se qyteti është i yni".