Profil/ Kush është 'hija' e Isa Mustafës që u bë sot kryeministër i Kosovës

3 Qershor 2020, 16:16

I cilësuar shpesh si “hija” e Isa Mustafës, Avdullah Hoti, i zgjedhuri i Lidhjes Demokratike ka marrë sot “bekimin” e Kuvendit si kryeministër i Kosovës.

Edhe pse nuk është zgjedhur nga qytetarët e Kosovës, Avdullah Hoti u votua si kryeministri i Kosovës me 61 vota. Politikani nga Rahoveci zuri vendin e kryeministrit Albin Kurti, duke udhëhequr një qeveri koalicioni më AKK-në, Nismën dhe Listën Serbe. Kjo ishte tentativa e dytë e 44 vjecarit  për të udhëhequr Kosovë, dhe ndryshe nga viti 2017, sot, babai i dy fëmijëve ia doli.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1998, Hoti bëri doktoratën në Universitetin e Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar. Karriera e tij politike nisi pasi u bë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe u njoh me Isa Mustafën.

Rrugëtimi përkrah mentorit të tij politik nis më 2008, kur fillimisht Hoti shërbeu si këshilltar për ekonominë i Mustafës, asokohe kryebashkiak i Prishtinës. Dy vjet më vonë, ai ishte kthyer në krahun e djathtë i Isa Mustafës, i cili pas rizgjedhjes si kryebashkiak i kryeqytetit, e emëroi Hotin nënkryetar.

Në vitin 2014, pasi Mustafa humbi garën për Prishtinën ndaj Shpend Ahmetit, Hoti u zgjodh për herë të parë deputet.

Megjithëse, Lidhja Demokratike kishte dalë e dyta në zgjedhjet e atij viti, Mustafa arriti të bëhej kryeministër i Kosovës, falë një marrëveshjeje me Partinë Demokratike, që atëkohë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Hoti u gjend sërish afër mentorit të tij, pasi Mustafa e emëroi Ministër të Financave, pozitë në të cilën shërbeu deri më 2017 dhe do të mbahet mend për reformën fiskale.