Profilizimi në arsim/ Vijojnë preferencat e larta në degët e biznesit, rënie tek Bujqësia dhe Turizmi

2 Janar 2020, 22:18

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikeve, gati një e katërta e studentëve vijon të preferojnë studimet në degët e biznesit dhe ligjit edhe në vitin 2018. Por gjatë viteve 2014-2018 numri i studentëve në degët e inxhinierisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ka pësuar rritje të ndjeshme, teksa në degët e tjera si juridik, ekonomik dhe degët e mësimdhënies ka rënie të ndjeshme të interesit për të studiuar.

Ndërkohë, në degët e ekonomikut dhe juridikut, në vitin 2018 numri i studentëve ra me 8600 në raport më vitin 2014 ose 20 për qind më pak. Por një rënie e madhe dhe shqetësuese u vu  në numrin e studentëve në degët e arsimit, shkencave natyrore dhe degët e bujqësisë, përkatësisht me 26%, 32% dhe 51%.Bizneset në sektorë të veçante si shërbimet teknologjike, bujqësia, dhe turizmi po hedhin alarmin se mungesa e fuqisë së kualifikuar të punës po shndërrohet në një nga pengesat më serioze për zhvillimin e aktivitetit të tyre. Për nga ana perspektivës, qeveria shqiptare ka parë me prioritet zhvillimin e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit për shkak se hapësirat për rritjen e tyre janë ende të mëdha, por këto dy degë vuajnë mungesën e njerëzve të shkolluar. Numri i studentëve në degët që lidhen me Bujqësinë dhe Turizmin ka pësuar rënie të ndjeshme.

Ministria e Bujqësisë hodhi alarmin pak kohë më parë se profesioni i Agronomit është në zhdukje. Ndërkohë, sektori i Turizmit ankohet vazhdimisht se nuk ka mjaftueshëm profesionistë me arsim të lartë për të plotësuar nevojat e tregut gjithnjë e në rritje.