TIRANË- Me premtimin se do të kthejë fshatrat dhe zonat rurale në faktorë zhvillimi, Lulzim Basha prezantoi programin e demokratëve për bujqësinë. Krahas angazhimit të bujshëm, për 100 milionë Euro në vit subvencione fermerëve, kryedemokrati listoi një sërë zotimesh, mes tyre zerimi i taksës së tokës, përfitimin e nipti vetëm me kartë identiteti, apo çmontim të monopoleve të tregjeve siç ai i quan.Basha tha se nëpërmjet këtyre masave, PD do t’i japë fund diferencave sociale mes të pasurve dhe të varfërve. "Do të mbështesim fort ekonominë e fermerëve dhe sipërmarrësve të këtij sektori, dhe do rrisim cilësinë e shërbimeve për ta dhe familjet e tyre, siç janë arsimi dhe shëndetësia. Ne do t’i japim fund një paradoksi të thellë makroekonomik dhe social, i cili fatkeqësisht mbizotëron prej një kohe të gjatë. Unë angazhohem që të subvencionojmë me një shifër rekord, drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, 100 milionë Euro në vit për fermerët shqiptarë dhe të financojmë 50 milionë Euro të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore, krahas financimeve të Bashkimit Europian. Objektivi ynë është t’i kthejmë fshatrat dhe zonat rurale të vendit, nga të harruara e tërësisht të braktisura nga qeveria aktuale, në faktorë zhvillimi. T’i kthejmë ato në mundësi që ofrojnë punësim, mirëqenie dhe standarde më të larta jetese", thotë Basha. Më herët, kryedemokrati zhvilloi një takim me agjenci turistike në Durrës për t’i njohur me planin për turizmin, të prezantuar dy ditë më parë nga foltorja e selisë. Basha tha se me ardhjen në pushtet të PD-së, Porti i Durrësit, do të dalë nga duart e krimit të organizuar dhe klaneve qeveritare që janë sipas tij të lidhura me të.
