Programi i PD/ Tabaku: Ekonomia e Shqipërisë është në situatë emergjente! Me Bashën kryeministër një e ardhme më e mirë

28 Janar 2021, 14:00 | Përditesimi i fundit: 2021-01-28 14:02:53

Nisjen e prezantimit të programit politik të PD-së, e bëri ish- deputetja Jorida Tabaku, e cila ka listuar një sërë problemesh ekonomike sipas saj, me të cilën po përballet Shqipëria dhe zgjidhjen që do ofrojë PD-ja.

Sipas Tabakut, ekonomia e Shqipërisë është në situatë emergjente në të gjitha drejtimet, pasi në 8 vite qeverisja është shkatërruar në propagandë. Ajo shprehet se Lulzim Basha do ta udhëheqë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt një ekonomie më të fortë, drejt një Shqipërie që kujdeset për njerëzit e saj.

Deklarata e plotë
Ekonomia e Shqipërisë është në situatë emergjente në të gjitha drejtimet. Gjatë 8 viteve të fundit, Shqipëria është shkatërruar. Rënia ekonomike për vitin 2020 pritet të jetë, 7.5%. Kjo do të thotë një ekonomi më e dobët për shqiptarët, për familjet dhe bizneset. Vendi jonë ka të ardhurat për frymë më të ulëtin në rajon, 4900$/frymë, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të varfra.

-              Shqipëria fiton, kur ekonomia rritet, shqiptarët fitojnë kur ekonomia jonë përformon mirë, jo kur shifrat manipulohen për të prodhuar më shumë propagandë. Motori i ekonomisë shqiptare është shuar, rritja ekonomike në 8 vite të qeverisjes ka qenë mesatarisht 1.4%. Pra, më pak të ardhura dhe mundësi punësimi për shqiptarët dhe familjet e tyre. Nuk mund të kemi shqiptarë me mirëqenie të lartë kur kemi një Shqipëri të varfër.

-              Ekonomia është shkatërruar, kostoja e jetesës është rritur, ashtu si ditë pas dite, edhe papunësia. Më shumë se 100 mijë të papunë për vitin e fundit.