Duke i quajtur këto 8 vite të qeverisjes si një dështim me fajtor kryesor Edi Rama, ish-deputetja e PD-së, Grida Duma tha se plani për mirëqenien sociale është ndryshimi i nevojshëm. Sipas saj, ky plan me 5 pika është i realizueshëm, serioz dhe gjithëpërfshirës. Duma vë theksin se plani është real dhe se beson te Lulzim Basha, për të cilën është personi i duhur në kohën e duhur për të sjellë ndryshimin.
“Shqiptarët kanë ndjekur këto ditë planet tona ekonomike, të shëndetësisë, të arsimit; entuziazmi dhe mbështetja masive është parë dhe ndjerë kudo. Me të drejtë Shqiptarët presin dhe i kanë varur shpresat tek ne, që të udhëheqim ndryshimin, të prijmë me anijen e zhvillimit, një rrugëtim për të cilin ky vend ka kaq shumë nevojë.
Sepse vijmë nga Tetë vjet dështime! Nuk janë pak, është koha që e çon një të porsalindur drejt adoleshencës, koha që e çon një adoleshent të mbarojë universitetin e të përballet me tregun e punës të papunë, koha që ndoshta çoi dëm një brez të tërë profesionistësh, sepse e përcolli jashtë Shqipëria. Tetë vite dështim. Pas 8 vitesh edhe sot shqiptarët durojnë atoparlantët e gërvishtur të pushtetit falsitet që ja shurdhojnë të vërtetën; e prandaj askush nuk beson asnjë fjalë, asnjë vendim asnjë premtim. Shqiptarët besojnë e presin të bjerë gongu i kohës që Rama largohet.
Largojmë të keqen e nisim zgjidhjen. Është Lulzim Basha, i cili në këtë foltore e do vijojë t'ju paraqesë planin e tij , se si Shqipëria Fiton, kapërcen errësirën sociale; se si Shqipëria Fiton, e triumfon njerëzorja; jo vetëm me ekonominë, shëndetësinë, arsimin, por me qeverisjen njerëzore që ka kujdes për njerëzit e pamundur, për ata që sëmundjet, mosha, aftësitë ndryshe, aksidentet e jetës, mungesa e një pune të çfarëdoshme me qeverisjen e keqe, i la të zhytur në mjerimin pa dritë në fund të tunelit.
