Progres raporti i KE/ Varhelyi: Vendi pranë plotësimit të kushteve për konferencën e parë! Shqipëria ka bërë progres

6 Tetor 2020, 17:04 | Përditesimi i fundit: 2020-10-06 19:14:18

Shqipëria ka marrë ditën e sotme nota pozitive në lidhje me progresat e saj në demokratizimin e vendit dhe zbatimin e ligjit, ku në progres raportin 2020 nga Komisioni Europian vlerësohet se vendi është është shumë pranë plotësimit të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian për pjesëmarrjen në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 

Ka qenë komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi i cili paraqiti raportin në mbledhje duke vënë theksin se Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat e saj për të arritur anëtarësimin e plotë në BE.

Vlerësime ka pasur për Reformën Zgjedhore me miratimin dhe  implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR përmes marrëveshjes së 5 qershorit. Komisioneri Varhelyi po ashtu tha se po ecet para me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa shtoi se përpjekjet janë të jashtëzakonshme në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit.  

“Shqipëria ka ndjekur me insistim rrugën e reformave dhe autoritetet shqiptare vazhdojnë të tregojnë se janë të përkushtuara në realizimin e tyre. Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe është shumë afër plotësimit të të gjitha kushteve për arritjen e realizimit të të qenit pjesë në Konferencën e parë ndërqeveritare. Është shënuar një progres i jashtëzakonshëm me Reformën elektorale me Marrëveshjen e Nënshkruar me 5 Qershor dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE –ODIHR. Po vazhdohet me implementimin e reformës në Drejtësi, po ashtu po vazhdon edhe Lufta kundër krimit të organizuar. Janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit. Shqipëria gjithashtu duhet të vazhdojë me reformat e saj edhe në periudhën pre zgjedhore", tha Varhelyi.

Megjithatë një Gjykatë kushtetuese ende jo funksionale dhe klima e polarizuar politike janë ndër pikat më problematike, ku Varhelyi kërkoi që me këto të ecet me ritme të shpejta.